Shkruan Diana Morina nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist:
Para pak javësh, në një nga klasat po diskutonim për fenë dhe gjininë, me theks të veçantë gratë myslimane. Meqë në universitetin ku unë studioj (Universiteti i Lundit) një nga principet që të paktën mburremi se na udhëheq është bashkëdyzimi i mendimit dhe praksës feministe, e vetmja pyetje që kisha në kokë ishte se a mund të bashkekzistojnë në praktikë brenda së njëjtës lëvizje feministe gratë fetare me ato jofetare dhe si? Përgjigjja e ligjërueses ishte e shpejtë dhe e qartë: ”JO, nuk munden!”. Jo, nëse flasim për interpretim dhe praktikim fundamentalist të fesë që shtyn këto gra të kenë urrejtje dhe refuzim sistematik kundrejt bazikes së feminizmit, shprehimisht seksualitetit, orientimit seksual, autonomisë mbi trupin, publikes, e të tjera.
Teksa pajtoj plotësisht me një deklaratë të tillë që i dënon lëvizjet fetare moderne të cilat e përdorin fenë për të shtrirë kontrollin dhe autoritetin mbi popullsinë, lëvizje këto të udhëhequra kryesisht nga burrat dhe që shtypin gratë, dua ta mbaj vëmendjen tek rreziku i gjeneralizimeve dhe barazimeve automatike të fesë me fundamentalizmin, apo të çdo gruaje fetare si fundamentaliste. Zhvillimet e dekadave të fundit (shto këtu dhe historinë e kolonializmit), kanë çuar drejt një përdorimi racist, selektiv dhe të gjinjëzuar të termit fundamentalizëm, kryesisht nga shtetet perëndimore në raport me vendet e Lindjes së Mesme, apo vendet me shumicë myslimane. Gjithsesi, përdorimi kapitalist e hegjemonik i termit nga qeveritë neoliberale perëndimore, e shpeshherë edhe nga lëvizjet feministe neoliberale, nuk do të thotë që lëvizjet fundamentaliste nuk janë evidente mes feve të ndryshme, edhe pse variojnë në formë, qëllime e rreshtime ideologjike. Për më tepër, analizuar nga një perspektivë gjinore mund të konkludojmë që brenda lëvizjeve fetare fundamentaliste, në emër të fesë, ruajtjes së traditave dhe interpretimeve klasike të teksteve fetare, grave u mohohen vazhdimisht të drejtat dhe liritë fundamentale në sferën private e publike. Si aktiviste dhe shkollare feministe, përveç që na kërkohet të dekonstruktojmë kuptimin semantik të termit “fundamentalizëm”, ne duhet të qëndrojmë syhapura kundrejt leximeve mizogjene të fesë që rëndojnë mbi gratë dhe të mos tolerojmë diskriminimin gjinor që gjen strehë në diskursin fetar.
Lëvizjet feministe dhe gratë fetare
Në vazhdën e debatit Perëndim/Lindje, është esenciale të reflektojmë shkurtimisht mbi impaktin që këto debate kanë pasur në zhvillimin e feminizmave perëndimorë dhe atyre në lokacione të tjera në botë. Me shumë të drejtë, feministet postkoloniale ato fetare, ndër të tjera, vazhdojnë t’i kritikojnë kuptimet universale të çlirimit, emancipimit, agjensisë dhe rezistencës që kanë buruar nga feminizmi i grave të bardha liberale. Termat mbi të cilat definohet agjensia dhe rezistenca nuk janë homogjene dhe universale. Siç thotë Leila Ahmed, Perëndimi nuk e zotëron feminizmin, feminizmi buron gjithkund në forma të ndryshme dhe termat e Perëndimit nuk duhet të jenë pika jonë krahasimtare. Gjithsesi, për një kohë të gjatë diskutimi mbi fenë dhe gratë është mbajtur në nivel të privates. Në një nga shkrimet e saj, Mir-Hosseini analizon marrëdhënien mes fesë dhe feminizmit, me theks në supozimet e zakonshme që feminizmi mund të shfaqet dhe të lulëzojë vetëm atëherë kur feja mbahet brenda hapësirës private. Privatizimi i fesë, sipas saj, ka shërbyer si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të lëvizjeve feministe perëndimore që ka përjashtuar gratë fetare. Margot Badran, një autore tjetër seminale e fesë dhe feminizmit, thekson se në analizat feministe duhet treguar kujdes i shtuar mbi premisat në të cilat teorizohet, e të cilat janë hasur në mendimin feminist perëndimor gjer vonë. Nëse nisemi nga premisa se feja është per se e dëmshme për gratë, dhe si e tillë duhet izoluar e larguar, nuk do të thotë që feja do të zhduket e as shoqëritëdh e kulturat të cilat njihen si fetare.
Paralelisht, gratë në vendet islame apo me shumicë myslimane, kanë gjetur mënyra për të luftuar për drejtësi e barazi gjinore. Lëvizjet dhe debatet brenda këtyre vendeve kanë nuanca të shumta meqë gratë u rreshtuan në lëvizje të ndryshme. Edhe sot, debatet mbeten aktive mes autoreve e aktivisteve që janë të rreshtuara në lëvizje feministe sekulare kundrejt atyre në lëvizje feministe islamiste. Pavarësisht rreshtimit, e rëndësishme është që gratë kanë arritur të gjejnë mënyra për t’i kontestuar praktikat shtypëse. Si shembull, shkollaret iraniane MirHosseini dhe Najmabadeh përmes përdorimit të metodologjive të ndryshme të bazuara në shkenca sociale, në kombinim me qasje që burojnë nga islamizmi klasik, kanë arritur t’i rilexojnë tekstet e shenjta, në këtë rast Kuranin, dhe t’i dekonstruktojnë interpretimet klasike që në bazë janë mizogjene dhe joegalitariane. Mënyra e tyre dhe e shumë grave të tjera ka qenë përdorimi i gjuhës së teksteve fetare për ta artikuluar një feminizëm të ri dhe për t’i zgjeruar limitet e predikimeve fetare apo fundamentaliste, qoftë brenda lëvizjeve sekulare apo atyre fetare. Kjo na jep të kuptojmë që alternativat të cilat gratë fetare dhe ato jofetare i kanë për të bashkëvepruar brenda së njëjtës lëvizje feministe sekulare janë ekzistente, ashtu siç janë ekzistente alternativat për të mos qëndruar nën të njëjtën ombrellë të feminizmit.
Cilat janë alternativat në Kosovë?
Në censusin e fundit në Kosovë, 826.039 gra janë vetëdeklaruar si besimtare të fesë islame, 19.127 katolike, 12.669 ortodokse, dhe 574 të besimeve të tjera. Ndonëse nuk guxojmë të aludojmë për kuptimin që feja bart për këto gra, e as t’i minimizojmë ato vetëm në numra, të paktën arrijmë të kuptojmë që çështja e fesë dhe grave duhet adresuar më sistematikisht. Diskutimet në diskursin publik duhet të shtrihen përtej shamisë, ndërsa diskursi publik fetar që e redukton rolin e grave vetëm në sferën private dhe e sheh feminizmin si prurje të sforcuar perëndimore duhet dekonstruktuar e sfiduar.
Një feminizëm ndërthurës na fton ta ekzaminojmë fenë në gërshetim me strukturat tjera shtypëse (patriarkati kapitalist, kultura), duke eksploruar kështu efektet që kanë në organizimin e punës e riprodhimit social dhe definimit të agjensisë së grave fetare vis-à-vis akteve të tyre të rezistencës. Praktikat nga vendet tjera na tregojnë që nuk ekziston një model a një rrugë që mund ta ndjekim të gjitha, sepse vetë praktikimi i fesë dhe kuptimi i saj varion nga konteksti në kontekst. Çështje të tilla na thërrasin t’i ridefinojmë në termat tanë kontekstualë motërzimin dhe solidaritetin, si dhe të shtrihemi përtej një ideje motërzimi homogjen që rrezikon të zaptojë agjensinë e grave fetare. Njohja e shumësisë së subjekteve gra dhe identiteteve të tyre na tregon që duhet të krijojmë hapësira të reja që mundësojnë sjelljen e narrativave personale të grave të besimeve të ndryshme në publik, përtej mureve të shtëpisë. Fundja, jo domosdoshmërisht të gjitha duhet të përkasim në një lëvizje të vetme feministe nëse pikëpamjet tona mbi drejtësinë shoqërore dhe gjinore janë kontradiktore në thelb. Në të kundërtën, në qoftë se gratë fetare të besimeve të ndryshme pajtojnë me termat dhe luftën e lëvizjes feministe në Kosovë, atëherë lëvizja ka vend për të gjitha ne.
Ky artikull është botuar fillimisht në “Koha për gratë” / Qendra Kosovare për Studime Gjinore 2021
*Burimi i fotos: Fjolla Besimi / Marshojmë, s’festojmë