Shkruan Liridona Sijarina nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist:
“Punët e grave nuk kryhen kurrë” – kjo është e vërteta që e shënjon përvojën e grave punëtore brenda shtëpisë. Kjo si grackë shtypëse e cila iu është imponuar atyre nga patriarkalizmi, për t’u thelluar dhe përdorur në formë edhe më të egër nga kapitalizmi i cili sot funksionon duke i mbajtur, ndër të tjera, me dikotominë punë e paguar / e papaguar. Dhe duke ua veshur këtë të fundit grave. Siç vëren edhe Engelsi, “Ndarja e parë e punës ka ndodhur mes grave dhe burrave me ndarjen e me lindjen e fëmijëve”. Sipas kësaj, aftësia biologjike për të lindur fëmijë ka ndikuar në krijimin e roleve gjinore, gjë që më pas ua ka përcaktuar edhe pozitën socioekonomike në familje, duke e asociuar çdo herë e më shumë shtëpinë dhe kujdesin me gruan, përderisa i ka shndërruar burrat në “fitues të bukës”. Kjo ndarje ka çuar në shfrytëzim të punës së grave nga çdo sistem, duke e përcaktuar peshën e tyre si prodhuese dhe kujdestare të forcës punëtore dhe jetës, por me një hile të madhe. Duke mos ua njohur kontributin si punë. Për rrjedhojë, kjo ka bërë që në familje pasuria të koncentrohet tek burri, duke i varfëruar gratë dhe duke i bërë ato klasë në vete, në krahasim me burrat.
Ekonomia klasike dhe kritikat klasike ndaj saj na tregojnë se sa vlen prodhimi, duke e barazuar atë me prodhimin e të mirave materiale dhe se si krijohen raportet shtypëse në procesin e prodhimit të të mirave. Megjithatë, ato dështojnë të shohin se si përgatitja e bukës, kujdesi për të vegjlit, të rriturit dhe pleqtë e shtëpisë, larja e enëve e çorapeve, i kontribuon ekonomisë dhe prodhimit e vazhdimit të jetës. E për ekonominë, prodhimin falas të forcës punëtore. Feminizimi i punës paraqet para së gjithash një problem patriarkaliteti, i cili më vonë është transformuar në një mjet shtypës edhe të kapitalizmit dhe si i tillë në asnjë mënyrë nuk mund të zgjidhet pa një pozicionim ndërthurës të cilin e ofron feminizmi. Kjo pasi që vetëm feminizmi me qasjen e vet ndërthurëse është duke ofruar një rrugë premtuese të zgjidhjes, duke i përfshirë të shtypurat/it në procesin e artikulimit dhe çlirimit dhe duke e parë shtypjen në të gjitha format që mund të marrë.
“Pagë për punë të shtëpisë”, e Silvia Federici, e cila zëshëm përshkoi marsin e vitit të kaluar në Kosovë, e shënoi një kthesë në diskursin feminist lokal këndej e tutje, duke i shtyrë kufijtë e definicionit të tregut të punës dhe duke e kontestuar konceptin klasik të punës. Kjo edhe më tej e ktheu edhe më majtas, dukshëm më majtas, lëvizjen feministe në Kosovë. Duke e artikuluar çdo herë e më shumë një të majtë e cila i kishte munguar hapësirës kritike, këto thirrje i transferuan në rrugë muhabetet e shtëpisë që gratë, të vetëdijshme për dhunën që iu ushtrohet atyre, e kanë denoncuar vazhdimisht. Kjo lëvizje majtas e përgënjeshtroi edhe më qartë premtimin e së djathtës “feministe” që barazia mund të arrihet brenda status quo-së, duke treguar që vetë dizajnimi i sistemit është problemi. Çrrënjosja është alternativa. E në anën tjetër, kërkesa të tilla jo-çuditërisht trazuan edhe qarqet tjera klasike, siç janë disa rryma brenda të së majtës, të cilat vështirë mund ta paramendojnë një burrë me përparëse tek gatuan darkën. Ndonëse këto teori kanë ofruar një analizë të thuktë të shtypjes dhe mjetet për çlirim, paaftësia e tyre për të skenuar më drejt shtypjen ka çuar në një definim të kufizuar të tregut të punës dhe shtypjes, e që pashmangshmërisht ka rezultuar edhe në artikulim përjashtues të projektit emancipues. Mbi këtë, feminizmi si ndërhyrje dhe projekt më emancipues e ka zgjeruar fokusin, duke përfshirë shumësi të shtypjeve që duhet analizuar dhe zhdukur dhe duke konkluduar se eliminimi i një shtypjeje i kontribuon avancimit përmbajtësor.
E çka është duke prezantuar lëvizja feministe e majtë?
Për feministet e majta, amvisëria është punë dhe amvisëria nuk është grua. Ndërsa, problemi është ekonomia thellësisht e gjinizuar, e prodhuar nga patriarkati kapitalist, racist dhe heteronormativ, i dizajnuar për të shtypur dhe eksploatuar grupe të caktuara identitare në shërbim të një pakice. Ekonomia është duke u mbajtur nga gratë që prodhojnë forcë punëtore, të nevojshme për funksionimin e kapitalizmit, ndërsa mbetet e definuar dhe e mirëmbajtur nga burrat. Kjo duhet ndryshuar, për të lëvizur drejt një organizimi ekonomik dhe politik të drejtë. E kjo mund të bëhet me qendërzimin e riprodhimit të jetës dhe punës së kujdesit në qendër të politikave ekonomike dhe zhdukjen e të gjitha formave të shtypjeve mbi baza identitare dhe klasore.
Ekonomia që projektohet nga kjo alternativë është ekonomia e cila, në fjalët e Tithi Bhattacharya, prioritizon jetën mbi profitin. Ekonomia feministe kërkon që të lëvizet nga ideja e rritjes në terma të rritjes së GDP-së, në një ekonomi që e vendosë mirëqenien në qendër. Ajo e heq luftën për mbijetesë dhe dikotomitë klasore, duke e zhdukur konkurrencën ekonomike si kusht për mirëqenie e cila në kushte të patriarkatit kapitalist krijohet veç duke e luftuar tjetrën/in dhe dominuar atë.
Përfshirje e drejtë dhe përmbajtësore e grupeve dhe individëve në lëvizje:
Për këtë, njohja më e thellë e formave të shtypjeve që krijohen nën këto kushte është kruciale. Dhe shndërrimi i këtyre përvojave në forca ndryshimi është mundësia e vetme në këtë proces. Potenciali ndryshues i feminizmit qëndron në njohjen dhe përfshirjen e përvojave, pozicioneve, kontributeve dhe nevojave të ndryshme, derisa lentet dalluese të neutralizohen.
Organizim politik solidarizues:
Feminizmi i majtë është duke prezantuar një qasje më të drejtë ndaj masës, duke ua njohur përvojën dhe kontributin unik gjithsecilës/it dhe nevojën e lëvizjes kolektive përmes shtrimit të diskutimit dhe ndërgjegjësimit kolektiv për zhvillimin e një lufte e cila nuk e lë askënd pas dhe më pak të rëndësishëm.
Përfundimisht, siç na mëson Gerda Lerner, “patriarkati është produkt historik dhe si i tillë mund të përmbyset veç me mjete politike”, teksa na thërret për t’u rreshtuar në luftën e përbashkët për rishkrimin e “fatit”. E siç po tregohet, ky rishkrim bart potencial progresiv veç duke qenë feminist dhe i majtë. Lëvizja e cila po ndërtohet është duke e ideuar dhe punuar për një të ardhme e cila trupëzon luftën tonë për çlirim individual dhe kolektiv nga shtypja dhe tirania e patriarkëve, të pasur, racistë dhe heteronormativë. Përmes denoncimit të asaj se çka realisht i shtypë gratë – patriarkatin kapitalist – feministet e majta janë duke e theksuar çdoherë e më shumë një lëvizje feministe të majtë, e cila mund të shndërrohet në forcën me potencialin më emancipues në vend dhe përtej.
Ky artikull është botuar fillimisht në “Koha për gratë” / Qendra Kosovare për Studime Gjinore 2021
*Burimi i fotos: Patrik Domi / Marshojmë s’festojmë 2020