Shkruan Sead Zimeri, filozof:
Ç’është feminizmi? Feminizmi është lëvizje politike për emancipimin dhe çlirimin e gruas nga format e ndryshme të dominimit patriarkal, apo siç e definon bell hooks në librin e saj Feminizmi është për të gjithë (2000), feminizmi është “lëvizje për t’i dhënë fund seksizmit, shfrytëzimit seksist, dhe shtypjes”.
Feminizmi për herë të parë do ta problematizojë sistemin patriarkal dhe do ta mbajë përgjegjës për shtypjen e gruas në shoqëri. Në imagjinaren e patriarkatit gruaja nuk është e barabartë me burrin sepse ajo i takon një gjinie tjetër; ka pra disa dallime fiziologjike nga burri. Këto dallime do t’i shtrojë si argumente që gruaja nuk është e barabartë me burrin dhe, rrjedhimisht, nuk duhet të ketë të drejta të barabarta me burrin.
Sistemi patriarkal i lexon këto dallime jo vetëm nga perspektiva deskriptive si fakte empirike që kemi disa dallime por ai i merr këto dallime si bazë normative për arsyetimin e pushtetit të burrit (babait si kryefamiljar). Dhe këtu ai bën një kërcim të madh nga një situatë e determinuar historikisht nga sundimi i burrit në një vlerësim normativ se si duhet të jenë marrëdhëniet mes gjinive. Dhe, jo çuditërisht, ato dalin të jenë ashtu siç kërkon interesi i burrit. Nuk ka domosdoshmëri as normative dhe as historike por as edhe biologjike që sistemi patriarkal të sanksionohet si normativ për të dy gjinitë. Burri e lexon pra pozitën historike të gruas, të krijuar nga ai vetë, si realitet natyror, e pastaj e lexon këtë situatë natyrore nga një perspektivë normative përmes të cilës ai e justifikon dominimin e tij mbi gruan.
Sistemi patriarkal është sistem politik ku burri dominon gruan. Ky dominim ndodh përmes shumë formave: mund të jetë dominim ligjor, zakonor, kulturor, arsimor, ekonomik, seksual në punë e në shtëpi. Ështe dominim gati total, dhe është i natyralizuar në institucione dhe madje edhe në vetë kornizat epistemike të perceptimit. Asgjë nuk është e paanshme, jo politike, në sistemet patriarkale. Por ky dominim është aq latent dhe i normalizuar saqë na prezantohet si i paanshëm, si fakt i pakontestueshëm.
Në fakt këtu duhet të jemi të kujdesshëm që të mos e keqkuptojmë sistemin patriarkal si sistem të qëllimshëm, apo si diçka që burri qëllimisht e bën për ta dominuar gruan. Patriarkati është sistem, jo qëllim, prandaj edhe duhet të kuptohet që kur sulmohet ai nuk sulmohet burri, por sistemi që është bërë natyrë e dytë e jona. Feminizmi e ka bërë patriarkatin objekt të studimit të saj, dhe ka arritur ta ç’natyralizojë, demitologjizojë, t’i nxjerrë në shesh praktikat dominuese, paragjykimet dhe presupozimet intelektuale të tij. Pas çdo presupozimi të tillë rezulton një privilegj i burrit dhe një diskriminim e një padrejtësi ndaj gruas.
Për shembull ai e lexon një fakt historik të mungesës gati totale të gruas nga kontributet në disa fusha të dijes dhe artit jo si diskriminim ndaj gruas por si mungesë talenti. Kështu e normalizon dominimin seksist. Mungesën e grave e shtron si çështje e inferioritetit të gruas e jo si çështje e diskriminimit ndaj saj. Ajo që nga ana e patrirakatit duket si inferioritet i gruas nga ana e feminizmit duket si diskriminim ndaj saj nga sistemi patriarkal. Mes ketyre dy perspektivave e drejtë është vetëm ajo që lufton dominimin dhe diskriminimin gjinor.
Por diskriminimi është shumë më i thellë se kaq: patriarkati ka mbivendosur vetë formën dhe standardin e vlerësimit të aktiviteteve të njeriut në shoqëri. Nuk është pra vetëm çështja se gruaja është diskriminuar nga burri në këto fusha (t’i quajmë diskriminime administrative) por që këto fusha janë themeluar duke marrë parasysh vetëm nevojat e burrave sepse janë themeluar për ta, për t’i përmbushur nevojat e tyre, interesat e tyre, dëshirat e tyre (t’i quajmë diskriminime konstitutive). Vetë konsitituimi i këtyre sferave si dhe ai i sferës publike është qenësisht dhe rrënjësisht i njëanshëm, i paragjykuar dhe përjashtues.
Përjashtimi i gruas nga këto sfera nuk është pra vetëm rezultat i politikave diskriminuese ditore por është rrjedhojë e vetë natyrës së këtyre institucioneve që janë ndërtuar në atë formë. Për shembull fakti që ka shumë pak kompozitore gra nuk tregon asgjë për paaftësinë e grave në muzikë por që sistemi u përgjigjet më mirë nevojave të burrave se atyre të grave e si rrjedhojë nuk arrinë t’i akomodojë gratë. Përjashtimi i tyre nuk është akt qëllimor, por akt strukturor, sepse ka krijuar një ambient ku jo të gjithë munden të arrijnë sukses.
E njëjta gjë përsëritet në sporte sidomos ato luftarake. Që burrat janë të suksesshëm në këto sporte nuk tregon asgjë për vlerën superiore të burrit krahasuar me atë të gruas. Që gruaja nuk është e pranishme në këto sporte nuk tregon për inferioritetin e gruas por që këto ambiente mund të mos jenë plotësisht të përshtatshme për gruan. Sikur që ka ambiente që nuk janë të përshtatshme për burrat pikërisht sepse ato janë bërë që t’i akomodojnë nevojat, interesat dhe dëshirat e grave. Mospërfshirja e burrave në këto ambiente nuk mund të gjykohet si diskriminim përderisa ato nuk i imponohen burrit si standard normativ për vlerësimin e performancës së tij në fushat tjera të aktitivetetit të tij.
Problemi qëndron në atë që gruaja është përjashtuar nga këto ambiente sepse nuk është krijuar hapësirë e përshtatshme për gratë dhe nevojat e tyre në ato ambiente. Këto aktivitete të burrit janë konsideruar dhe vlerësuar jo vetëm si më të rëndësishme se aktivitetet e gruas, por si të vetmet aktivitete që kanë rëndësi. Por të rëndësishme për kë? Kuptohet për burrat, sepse gruaja nuk konsiderohej subjekt që mendimi i saj të kishte ndonjë peshë. Gruaja nuk ishte subjekt por objekt, pronë e burrit, prandaj edhe burri do ta formojë botën pa menduar për gruan, pa i menduar nevojat dhe interesat e saja. Ai do ta krijojë botën që i duhej atij, jo botën që i duhej asaj. Ajo pra ishte përjashtuar tërësisht nga kjo botë. Ky fakt, megjithatë, vetvetiu mund të mos bëhej ndonjë problem i madh. Unë për shembull nuk ndjehem i përjashtuar nga ndonjë sekt fetar ku nuk e gjej veten. Por kur kjo botë mëton të jetë e vetmja botë që ka peshë, e vetmja botë që duhet të ekzistojë, e vetmja botë që nuk toleron asnjë botë tjetër, dhe në këtë botë nuk ka vend të barabartë për gratë, atëherë kjo botë shtrohet si problem për të dy gjinitë. Kur kjo botë i imponohet gruas si normë absolute që ajo duhet ta pranojë si të veten, si të vërtetë të pakontestueshme, atëherë ekzistenca e saj shlyhet nga kjo botë. Ajo më nuk ekziston si subjekt moral dhe politik. Patriarkati krijoi gruan që atij i duhej: të nënshtruar, të shtypur dhe të përjashtuar, pastaj e lexoi këtë identitet si identitet natyror i gruas. Feminizmi është kundër kësaj bote.
Feminizmi do ta vë në pikëpyetje pikërisht këtë identitet të gruas, duke e shtruar pyetjen se “ç’është gruaja? dhe “çka dëshiron gruaja?” Duke i shtruar këto pyetje feminizmi problematizon strukturën e dominimit patriarkal, dhe si rrjedhojë edhe format ndërveprimit gjinor. Por feminizmi nuk është lëvizje vetëm për gratë, por edhe për burrat, dhe jo vetëm për arsyen se burrat përfitojnë nga patriarkati, në masë të ndryshme, i bën burrat bashkëfajtorë në shtypjen e gruas, por edhe për arsyen se ne tani më e dimë mirë që “faktet natyrore” të patriarkatit janë konstrukte historike të formuara nën dominimin patriarkal.
Jo rastësisht pra burrat përfitojnë nga sistemi patriarkal, prandaj edhe barra e tyre është më e madhe se e vetë grave për ta krijuar një botë tjetër ku marrëdhëniet tona bëhen në bazë të lirisë dhe barazisë. Nuk është e mundur të flasësh për liri dhe barazi sot por njëkohësisht të deklarohesh që nuk je feminist, që feminizmi po e shkatërron familjen tradicionale, që po krijon ndasi mes gruas dhe burrit, që po shkakton divorce. Forma e lirisë sot është ajo feministe. Lirinë nga dominimi i sistemit patriarkal. Konsistenca logjike dhe integriteti moral kërkon që burri të përfshihet në luftën për të drejtat e grave, të bëhet feminist.
Unë e kam vërtejtur që shumë burra por edhe gra, shfaqin një rezistencë kundër pëfshirjes së tyre në feminizëm apo kundër identifikimit të tyre me feminizmin. Por këto protesta burojnë nga keqkuptimi i marrëdhënieve nën dominim. Të drejtat e grave diskutohen si çështje të ndara nga lufta politike për liri dhe drejtësi, si dhe nga patriarkati si sistem i dominimit, i cili po ashtu ndahet nga format tjera të dominimit si kapitalizmi për shembull. Pra gruaja nuk trajtohet si subjekt i të drejtave të veta por si objekt i të drejtave që ia ka dhënë patriarkati. Kjo detyrimisht e zhvendos krejt bisedën për feminizmin në një plan tjetër, dhe përderisa asnjë nga faktorët e lartëpërmendur nuk mirret parasysh, feminizmi paraqitet si i panevojshëm. Por kjo vetëm sa tregon që këta ende vetë nuk janë çliruar nga mënyrat dhe format e perceptimit epistemik patriarkal. Që ata nuk e kuptojnë domosdoshmërinë e feminizmit sepse brenda sistemit patriarkal nuk ekzistojnë ato kategori intelektuale për ta konceptualizuar një botë tjetër. Konceptet që i ofron feminizmi prandaj nuk kuptohen, dhe nëse nuk thyhen ato barriera nuk mund të kuptohet rëndësia e feminizmit.