Shkruan Fjolla Muçaj, aktiviste feministe:
Deçani njihet si qytet i burrave të medhenj, heronjëve e burrështetasve. Një shfletimi historisë e i emrave të veçuar që qyteti i ruan e afirmon këtë. Edhe statujat e burrave të cilët pushtetarët kanë vendosur t’i përjetësojnë tregojnë fare qartë se kujt i atribuohet ekzistenca e qytetit. E gratë këtu janë pothuajse jo-ekzistente. Qoftë në historinë, qoftë aktualitetin e jetës publike në Deçan. Gratë janë “prapa perdeve”, aty ku gatuhet bukë e mbahet gjallë jeta. Pra, ato janë zakonisht mbrapa burrave, aty ku vështirë vërehen e vlerësohen dhe aty ku vështirë se mund t’iu dëgjohet zëri.
Gjithsesi, edhe në Deçan, sikur në provincat e qytetet më të zhvilluara që gjithësesi janë patriarkale, mund të flasësh për gratë në jetën publike si emra të përveçëm, të cilat ia kanë dalur ta zbusin shtypjen dhe ta hedhin një hap përtej familjes. Por kjo nuk është tërësia. Realiteti i grave, i shumicës së grave në Deçan, nuk mundet edhe nuk duhet asesi të përshkruhet përmes emrave të përveçëm. Kjo për shkak që realiteti fshehet në atë që nuk ka prezencë fare. Dikush lehtësisht mund të thotë që “gratë dalin lirshëm, shkollohen e punojnë lirshëm” por mjafton t’ua lëshojmë një sy hapësirave publike, fytyrave të personave që qarkullojnë rrugeve e zërave që dëgjohen dhe fare lehtë e kuptojmë se kujt i takon qyteti. Prej institucioneve, rrugëve kryesore të qytetit, shesheve e kafeneve ajo çka bjen në sy është prezenca e burrave. Prezencë kjo e cila kumbon forcë e dominim të burrave karshi grave.
Neve na thuhet të besojmë se qyteti ynë është zhvilluar mjaftueshëm dhe se tashmë ka dalur përtej kufijve të rreptë të gjërave si rolet gjinore. Kjo fotografi e qytetit e cila po tregohet nuk i zë edhe gratë. Ajo fotografi ka fytyrë burrërore dhe za patriarkal i cili merr guxim e flet edhe në emër të grave. Neve na thuhet të besojmë diçka, të cilën përvoja jonë nuk e njeh dhe e hedh poshtë. Ne e shohim fare qartë që hierarkia gjinore që ekziston në Deçan ka çuar në qasje dhe përvojë të pabarabartë të shfrytëzimit të hapësirave publike në vend.
Rrugët e qytetit e kafenetë këtu shihen si privilegje të burrave. Ato kontrollohen nga diktati i burrave e që jo domosdoshmërisht vjen në formën e një kontrolli deklarativ por ushtrohet përmes krijimit dhe mbajtjes së një atmosfere të tillë e cila i përjashton gratë.Feministja urbaniste Leslie Kern, tregon se mjediset urbane janë strukturuar për të mbështetur organizimin familjar patriarkal, tregjet e punës të ndara sipas gjinisë dhe rolet tradicionale gjinore, duke ndërtuar analogji me mjediset e punës dhe normat aty, të ndërtuara në atë mënyrë që lejojnë ngacmimin dhe mbrojnë abuzuesit duke ndëshkuar viktimat. Nga fizikja në atë metaforike, qyteti është i mbushur me kujtesë dhe afirmim të fuqisë mashkullore. Në këto hapësira, vështirë depërtojnë gratë e Deçanit. E kjo mungesë e grave na tregon të vërtetën e grave nëpër shtëpitë e tyre. E vërteta e tyre, me aq sa mund të jetë e “larmishme” mbetet e përcaktuar nga patriarkati i cili ushtrohet përmes duarve të burrave e që i kufizon ato brenda shtëpisë.
Një vështrim i qendrës së Deçanit, të kujtojnë vargjet e Çajupit që e flet të vërtetën e grave dhe mos-njohjen nga burrat.
“Burrat nën hije
lozin, kuvendojnë
pika që s’u bije,
se nga gratë rrojnë.”
Janë gratë ato që e mbajnë shtëpinë e qytetin mbi shpinë me punë, punë kjo e cila nuk njihet prej atyre që shkruajnë historinë. Kjo, mos-njohje e ndihmon dhe i kontribuon shtypjes së tyre e cila përjetohet me mbyllje brenda mureve të shtëpisë, punë që nuk kryhen kurrë, zë i mekët në vendimmarrje e pak kohë e të drejtë për të dalur jashtë, qoftë për të punuar apo argëtuar.
Kush e kontrollon qendrën?
“Qytetet kanë marrëdhënie komplekse me gjininë“ thotë feministja Sophie Watson. Siç na tregon Watson dhe siç diskutojnë vazhdimisht njohëset e aktivistet feministe, qasja dhe prezenca në jetën publike është një çështje gjinore. Sipas tyre planifikimi, paraqitja, menaxhimi i qyteteve mund t’i minojnë mundësitë që gratë të zhvillojnë potencialin e tyre, të dalin dhe të funksionojnë lirshëm brenda këtyre qyteteve, duke iu lënë pak mundësi për t’u punësuar apo për të zhvilluar jetë jashtë shtëpisë. Gjithashtu, mënyra se si janë të ndërtuara dhe menaxhuara hapësirat publike në qytete e bëjnë terrenin jashtë shtëpisë, ambient ku nxitet frika dhe pasiguria tek gratë. Kjo na asocion në atë që në qytete, të projektuara e të ndërtuara brenda shtyllave patriakale, gratë përceptohen si “ardhacake” të cilat duhet të luftojnë ta sigurojnë një copë vendin aty. Për ta ilustruar këtë, mjafton ta kthejmë vemendjen tek ajo që iu ndodhë grave nëse ato i thejnë rregullat e vendosura nga rendi patriarkal. P.sh, nëse gratë dalin natën shkelin rrugëve, “në terrenin e burrave”, ato lirisht mund të përdhunohen, siç ka qenë praktikë e pranueshme që nëse dikush të hynë në shtëpi, ti edhe mund ta vrasësh. Do të thotë, nëse dikush të shkelë në pronën tënde private, ti ke të drejta mbi të. Kjo na thotë që rrugët janë të burrave, jo të grave. Gjithashtu, “Çka lypin çikat natën rrugëve?” mund të pyet dikush. Pikërisht rreth kësaj pyetje janë vendosur “prangat” që i mbajnë gratë nën rolin e “të mirave” dhe “të ndershmeve”, gjë që ua minon mundësinë që ato të dalin e ta shijojnë jetën përtej mureve të shtëpisë, pasiqë përveç gjyqit moral, ato edhe mund të dhunohen e edhe vriten.
Hapësirat e mbushura me burra në çdo cep, ku diskutohen e vendosen “gjërat e mëdha” në mendjen cdo gruaje transmetojnë një vend të pa-arritshëm për to, e gjithashtu rrënjosin rrezikun dhe parahatinë që çdo grua mbart në mendjen e saj, këtë si disiplinim të tyre. Këto hapësira të cilat padrejtësisht mbushen me burra, me mesazhet që japin përcjellin pasiguri te gra, e cila shërbenë për të na kujtuar se nga ne pritet të kufizojmë lirinë tonë për të ecur, punuar, argëtuar dhe për të zënë hapësirë në qytet.
Pjesmarrja në ndodhitë shoqërore, politike, pjesëmarrja në art, kulturë dhe media, rrjetizimi dhe krijimi i miqësisë, të gjitha këto janë shumë më të disponueshme për burrat në qytet. Sipas organizimit patriarkal, në shumicën e shoqërive të qyteteve të Kosovës , grave u jepet vetëm një rol mbështetës ose nënshtrues. Ndërsa burrat përdorin dhe kontrollojnë hapësirat në sferat publike, shtëpia mbetet sfera e aktiviteteve për gratë. Pyetjet seksiste që kërkojnë llogari prej grave, e të cilat janë aq të shpeshta, që pyesin gratë se “Çka lypë ti në atë lagje? Në atë lokal? Pse me e pritë vetë autobusin? Pse po ecë vetëm natën?” na thonë shumë. Siç thotë Jane Darke “Çdo vendbanim është një mbishkrim në hapësirën e marrëdhënieve shoqërore në shoqërinë që e ndërtoi atë. E në realitetin tonë, gratë duke qenë të shtypura, gjithmonë kanë dikë kujt duhet t’i japin llogari, në një vend patriarkal të shkruar në gur, tulla, qelq dhe beton” i cili ua vështirëson jetën grave, si brenda dhe jashtë shtëpive.
Në Deçan së fundmi janë bërë “përpjekje” për t’i integruar vajzat dhe gratë nëpër hapësirat publike, duke dizajnuar kështu restaurante të cilat janë më familjare, të cilat janë krijuar në atë mënyrë që duke mos e cenuar “moralin” dhe statusin e tyre, t’i mirëpresin dhe t’iu japin hapësirë aq sa konsiderohet e mjaftueshme dhe e udhës nga patriarkët. Si duken këto lokale? Ato jane dukshëm më pak të ekspozuara në krahasim me kafenetë ku rrijnë burrat. Janë ambiente ku tensionet vështirë mund të krijohen, ku “gratë e mira” kalojnë kohë, pa rrezikuar të përfliten e të ngacmohen. Në një shoqëri ku në çdo hapsirë, nga pragu i shtëpisë deri te kafenetë, janë të dizajnuara e të krijuara në standarde të përcaktuara për trupat dhe nevojat e burrave.
Gjithashtu, hapësirat të cilat pranojnë vetëm gratë, përveç që luajnë rolin e një hapësire të sigurtë dhe solidariteti për gratë, ato mund të kenë ndikim negativ nëse nuk punojmë që t’i zhdukim stereotipet gjinore që s’i pranojnë gratë në hapësirat e uzurpuara prej burrave. Ndarje te tilla vetëm sa e forcojnë idenë e ndarjes, gjë që rrezikon t’i mbajë gjallë barrierat që gratë i hasin të hyjnë në sferën publike dhe të punojnë njëjtë sikur burrat, pa frikë e pa drojtje dhe të jenë të lira. Qyteti i Deçanit është vend që ende është në ndërtim e sipër dhe ekziston mundësia që infrastruktura të krijohet ashtu që që të fillojnë te ndërtojnë hapësira ku gratë ndihen rehat edhe në prezencë të burrave. Kjo është një kauzë të cilën vajzat dhe gratë e Deçanit, duhet ta marrin më seriozisht, pasiqë qasja dhe ndarja e barabartë e hapësirës publike janë shumë të rëndësishme në të gjithë procesin e krijimit të ndryshimeve shoqërore në vend.
*Burimi i fotos: Marshojmë s’festojmë, Deçan, 2021