Në hapësirën publike të kampusit universitar, e lexuam dhe e diskutuam artikullin e antropologes Sherry B. Ortner “A është femërorja për mashkulloren siç është natyra për kulturën?”. Diskutimi u përqendrua drejt pyetjeve të shtruara nga Sherry të cilat problematizojnë dikotominë natyrë-kulturë e cila në kushte të kontekstit global përkthehet në dominim të grave nga burrat. Sipas Sherry-t asocimi i grave me natyrën dhe i burrave me kulturën është mjet i dominimit gjinor, i cili para së gjithash paraqet çështje vlerash të cilat ndërtojnë raport hierarkik dhe antagonist. Përmes përgënjështrimit të natyralizimit të kësaj ndarje, Sherry argumenton se këto dikotomi të padrejta, mund të zhbëhen përmes angazhimit të barabartë dhe të drejtë të grave dhe burrave në sferën publike dhe private.
Ky diskutim i rradhës i Kolektivit, kishte mobilizuar edhe Policinë e Kosovës, e cila e imponoi vetën, në emër të “sigurimit të hapësirës”. Për ne, ky policim përveç që i çuditshëm është edhe shqetësues duke qenë se nuk mund të lexohet ndryshe përveç se një tendencë e vazhdueshme të institucioneve shtetërore për ta kontrolluar çdo organizim feminist.