Në vazhdën e leximeve mbi gjininë, identitetin dhe dominimin, këtë muaj do ta lexojmë artikullin “Maskuliniteti hegjemonik” nga R.W Connell dhe James W. Messerschmidt.
Në këtë artikull, Connell dhe Messerschmidt e rivendosin në vëmendje konceptin e maskulinitetit hegjemonik, në përpjekje për ta rishikuar aplikueshmërinë dhe dobishmërinë e tij për studimet mbi gjininë dhe jo vetëm, në kushtet aktuale. Duke u nisur nga premisa që koncepti i maskulinitetit është qenësor për t’i kuptuar dinamikat e pushtetit dhe formësimin e identiteteve gjinore tek burrat, gratë dhe grupet e tjera gjinore, autoret/ët rreken të shpjegojnë formësimin e maskuliniteteve si procese dinamike dhe historike, të kushtëzuara nga kontekste lokale dhe specifike shoqërore.
Kësisoji, artikulli fton refuzim të teorizimeve universalizuese dhe natyralizuese mbi natyrën mashkullore dhe aplikimin e një qasje e cila lejon njohjen e shumësisë së maskuliniteteve të cilat krijohen në negocime të vazhdueshme me strukturat tjera shoqërore dhe proceset historike. I frymëzuar nga koncepti gramshian i hegjemonisë, maskuliniteti hegjemonik ofron mundësi për të analizuar dominimin përtej dhunës së dukshme, përmes operacionalizimit të “pëlqimit” të heshtur dhe legjitimimit të hegjemonisë përmes institucioneve dhe praktikave shoqërore të dominimit.
Artikullin e përkthyer në gjuhën shqipe nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist mund ta shfletoni këtu: https://www.kolektivifeminist.org/…/Maskuliniteti…
Ju mirëpresim këtë të mërkurë në amfiteatrin e vogël të Bibliotekës Kombëtare, duke filluar nga ora 17:30!
Shpërndaje