Skip to content
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist
Menu
  • Ballina
  • Aksione
  • Leximet feministe
    • Grupi i leximit
    • Artikuj feministë
  • Shtjellime feministe
    • Diskutime
    • Biseda
    • Ligjërata
  • Video përkthime
  • Për ne
Menu

Politika e solidaritetit dhe emancipimi shoqëror

Postuar me 10/03/202210/03/2022 by Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist
Shkruan Liridona Sijarina nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist
 
Në takimet e mia të para me feminizmin si ide e lëvizje, solidariteti ka qenë një nga nocionet më të fuqishme e më paradoksale të cilat kanë kumbuar në lexime, diskutime a organizime politike, duke më ftuar çdo herë e më shumë në angazhim. Thirrja e tij ka qenë e vazhdon të jetë e qartë – është pikërisht solidariteti ai që do të na shpëtojë. Andaj edhe ne duhet të rreshtohemi rreth tij. Duhet te thirremi në të, të flasim për të e të ndërtojmë vetëdije e angazhim politik mbi të.
 
Nevoja për t’iu kundërvënë një realiteti tejet shtypës, i cili të vendosë në periferi të secilit organizim, hapësirë a ligjërim për shkak të identitetit tënd, e ka shndërruar nxitjen e solidaritetit në forcë katalizuese e cila ia mundëson atij të lëshojë shtat. Feminizmi si ideologji dhe politikë është ngjizur dhe zhvilluar mbi ndërtimin e vetëdijes gjinore, qendrore për ta konsoliduar një kritikë mbi sistemin shtypës, i cili mbahet e ndërtohet rreth “identiteteve” ndonëse shpesh të paemërtuara. Në historinë e vet të evidentuar, feminizmi është rrekur t’i jap emër padrejtësive që bazohen mbi identitete, duke konsoliduar kështu një kritikë që jo veç iu jep emër, por edhe iu kundërpërgjigjet. E kështu, të krijuarit e identitetit të gruas, si kategori politike mbi të cilën janë ngritur kauza, ka qenë fundamentale. Kjo është bërë përmes zbulimit të të përbashkëtave tona të cilat e trupëzojnë “fatin” e grave si kategori të paemëruara, të margjinave.
 
Megjithatë, kjo traditë, e konsideruar si unitariste në lëvizjen dhe epistemologjinë feministe, nuk duhet kuptuar si e vërteta që e delegjitimon feminizmin si politikë thjesht identitare, e cila ndërton “subjekte” të përfaqësueshme. Kontributet e vazhdueshme e kanë ndërtuar një kapacitet vetëreflektiv të lëvizjes e mendimit që çdo herë e më shumë është duke lëvizur nga gjithëpërfshirja, fluiditeti i identitetit e kritika ndërthurëse, e cila përveç që i jep emër shtypësit e njeh edhe shumësinë e shtypjeve e angazhohet në luftë ndaj tyre, kudo. E kjo e ka vendosur përherë e më shumë theksin tek politika e solidaritetit, duke e intensifikuar kështu edhe një nevojë reflektimi të vazhdueshëm mbi të, me qëllim të funksionalizimit të kapacitetit emancipues të tij.
 
Rreziku i vazhdueshëm që vjen nga jashtë e ka vendosur solidaritetin në ballë të feminizmit, për t’u prezantuar kështu si e vërteta definitive e përcaktuesja e tij. Në këto kushte, lufta e përditshme ndaj patriarkalizmit shpesh na lë pa shumë fuqi për ta konsultuar terrenin praktik që zë solidariteti brenda nesh, si Un-e e si kolektive, duke e bërë kështu vështirë të nënshtrueshëm ndaj kritikës e reflektimit. Kjo rrezikon ta vendosë në një piedestal adhurimi, aq i mallkueshëm e i padëshirueshëm për etikën feministe.
 

Puna në terren me shoqet dhe shokët e kauzës, muhabetet e zjarrta e motivuese, kompromisi i vazhdueshëm me idetë për veten, e kthimi tek mendimet shumë të vyera e të dashura të shoqeve të kauzës, të tanishme e nga historia, pashmangshëm të ftojnë që ti vetë ta marrësh në dorë diskutimin e këtij nocioni aq të fuqishëm e tërheqës. Të fton në sprovim. Në përndjekje të mësimeve të marra në një sistem të kalbur, i cili operon përmes indiferencës, luftimit të tjetrës/it, pamundësimin e përbashkimit e, e më së rëndësishmi – besimit. Kësisoj, sot është e pamundur të vazhdohet puna pa pyetur veten: me kë qëndroj në solidaritet; në çfarë kushtesh; çka nënkupton kjo për veten; për kufijtë brenda të cilëve jetoj dhe si, e për terrenin politik në të cilin funksionoj. Kjo sa për t’i qartësuar ca parime bazike për të mos e braktisur luftën e përbashkët.

Në këtë ndërmarrje të pafundme reflektimit, një pikënisje mund ta gjej tek ideja të shtyhem ta banoj e që thotë se ne nuk mund të pretendojmë të jemi solidare/ë më idetë abstrakte, gratë e burrat gjetkë, pa e praktikuar solidaritetin me ato/ë të cilat/it i kemi më së afërmi. Sidomos shoqet e shokët e luftës. E kjo në radhë të parë na çon drejt nevojës së njohjes. Njohjes jo vetëm të shtypjes kur është në terma të egër e fort të dukshëm, por edhe të angazhimit e rezistencës në të gjitha vatrat e mundshme që ato mund të ndodhin. Me të vërtetë, solidariteti nuk është ndjenjë artificiale e cila ndërtohet mbi një ndjenjë fetishizimi të luftës a vuajtjes që është larg. Ajo nis nga vetja, zhvillohet në raport me tjetrën/in, të afërt e po aq të largët nga vetja. E kjo nganjëherë më thotë që solidariteti shpesh është më vështirë i mundshëm me ato/a që i kemi më së afërmi. Kjo duke qenë së sistemi-patriarkati kapitalist, heteroseksist e provincial – angazhohet sistematikisht të na heshtë e fragmentojë. Kjo për shkak se vetëm me përçarje ai mund të mbijetojë. Pikërisht këtu duhet të luftoj/më, si kusht për të çelë mundësi të reja.

Solidariteti si mjet përmes së cilit përbashkohemi në luftë dhe si ndjenjë katalizuese. Kjo fjalë gjithmonë në krye të artikulimit feminist, përveç që më është prezantuar si bashkëndjesi me tjetrën/in sidomos në kushte pabarazie, është shndërruar edhe mjet i cili mbanë punë. Për mua, në radhë të parë, kjo nënkupton negocimin me kufijtë e vetes dhe tjetrës/it. Jo vetëm në qartësimin e atyre kufijve, por edhe të kuptuarit e drejtë të asaj që identiteti nuk është diçka fiks, ai ndërtohet e rindërtohet vazhdimisht. Për mua, solidaritet është njohja e historisë, e punës që shoqet/kët aktiviste/ë e bëjnë. Tregim i drejtë i historisë, në totalitetin e saj. Sinqeritet gjatë rrugës. Siç na thotë Silvia Federici, në lëvizjen feministe një rëndësi qendrore e ka procesi. Ajo se si e trajtojmë njëra/i-tjetrën/in, punën, angazhimin e krejt atë që nuk shihet.

Është ndjenja e solidaritetit dhe vetëdija politike mbi shumësinë e shtypjeve që e bën terrorin izraelit mbi Palestinën, luftën në Ukrainë, krizën energjetike, racizmin strukturor që e vrau Kujtim Veselin në moshën 11 vjeçare, pikërisht sepse ai ishte ashkali – çështje feministe. Krizat e njëpasnjëshme lokale dhe globale, disa më të dukshme e disa më të padukshme për ne, janë duke e ritheksuar që është pikërisht solidariteti nyja e cila mund të na çojë drejt transformimit emancipues. Agresioni rus mbi Ukrainën na tregoi që fatet tona shoqërore nuk janë fate individuale, por procese politike, të cilat nuk mund të jetohen në vetmi e përjetohen me indiferencë. E kjo luftohet me solidaritet, që përmes fjalëve të Simone Weil, mundësohet veç kur ne jemi të vëmendshme/ëm ndaj tjetrës/it a diçka-së. Është ajo vëmendja – e kuptuar si akt politik – që na bën të ndërgjegjshëm se, në fund, ne të gjitha/ë qenkemi duke e luftuar një strukturë të njëjtë – politikën patriarkale, e cila funksionon me dhunë e herë përshkallëzohet në forma edhe më të egra.

Feminizmi si praktikë e teori është duke ofruar mjetet për ta imagjinuar e jetësuar në forma të reja të solidaritetit. Solidaritete që i njohin të përbashkëtat dhe ndërtohen mbi dallimet. Një solidaritet i cili sulmon dikotomitë e qendrës e periferisë. Një solidaritet i cili na mundëson t’i besojmë njëra/i-tjetrës/it e të luftojmë për njëra/i-tjetrën/in, parakushte kryesore për të punuar bashkë e për të guxuar për ta imagjinuar një të ardhme bashkë.

Ky artikull është botuar fillimisht në “Koha për gratë” / Qendra Kosovare për Studime Gjinore 2022

*Foto: Fjolla Besimi, Marshojmë s’festojmë, 2022
Shpërndaje

Lexo edhe:

  • Bisedë feministe: Ballafaqimi me homofobinë dhe transfobinë
    Bisedë feministe: Ballafaqimi me homofobinë dhe transfobinë
  • Rreth politikës identitare dhe urgjencës së organizimit feminist
    Rreth politikës identitare dhe urgjencës së…
  • Aksion në Lipjan: Kundër shtypjes së vajzave dhe grave
    Aksion në Lipjan: Kundër shtypjes së vajzave dhe grave
  • Protestë: Kundër dhunës seksuale ndaj vajzave dhe grave
    Protestë: Kundër dhunës seksuale ndaj vajzave dhe grave

Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Të fundit

  • Protestë: MBROTJTJE PËR VAJZAT DHE GRATË
  • Vdekje Patriarkatit – Liri Grave!
  • PROTESTË: VRASJA E GRAVE NGA BURRAT TË TRAJTOHET SI URGJENCË KOMBËTARE
  • Lexime feministe: Maskuliniteti hegjemonik
  • Aksion në Ferizaj: DHUNA NDAJ GRAVE ËSHTË KRIM

Faqja në Facebook

Facebook Pagelike Widget

Thirrje për artikuj

Hapësira virtuale e Kolektivit fton për kontribute feministe të vazhdueshme.

Për publikim të artikujve, na shkruani në emailin: kolektivifeminist@gmail.com

©2023 Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist | Built using WordPress and Responsive Blogily theme by Superb